Transmetuar më 28-03-2020, 01:12

Gjermania e ka dëgjuar këshillën e para disa ditëve të OBSH dhe ka shtuar numrin e testimeve për COVID-19 në 500 mijë në javë, duke rritur kështu mundësitë për identifikim të shpejtë të të infektuarve dhe ndërprerje të zinxhirit të transmetimit të koronavirusit përmes lokalizimit dhe izolimit të të prekurve.

Arsyeja pse Gjermania ka pasur kaq pak viktima në krahasim me shifrat e rasteve të prekura mund të shpjegohet nga fakti se kemi kryer shumë diagnoza laboratorike,” tha Dr Christian Drosten nga Spitali Universitar Charite i Berlinit.

“Në Gjermani, ne bëjmë 500 mijë testime në javë”, shtoi ai, duke folur me Euronews. Gjermania është goditur rëndë nga pandemia COVID-19, me 36,508 raste të konfirmuara, por me vetëm 198 viktima deri më tani, një shifër shumë më e ulët në krahasim me fqinjët e saj si Franca apo Italia.

Gjermania ka një ndër shkallët më të ulëta të vdekshmërisë nga COVID-19 me 0.5 për qind, krahasuar me Francën 5.2 për qind dhe Spanjës 7 për qind.

Hulumtuesit gjermanë planifikojnë të testojnë rregullisht mbi 100 mijë persona për të parë nëse kanë kapërcyer kontaminimin nga COVID-19 në mënyrë që të gjurmojnë përhapjen e tij.

Heyo Kroemer, drejtori i Universiteti Spitalor Charité, tha se Gjermania nisi testimet më herët sesa shtetet e tjera.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi se do të investojë 500 milionë euro për të krijuar një urë lidhëse midis spitaleve dhe laboratorëve.

Ky rrjet do të përdoret gjithashtu për të analizuar të dhënat e gjithë pacientëve me COVID-19, për të krijuar një bazë të dhënash me historikun e tyre shëndetësor.

Ndërkohë, Shqipëria me vetëm rreth 2-3 milionë banorë, ka kryer deri sot 1246 teste nga të cilët rreth 15 për qind kanë rezultuar pozitivë dhe tetë vetë kanë vdekur kurse gjashtë të tjerë janë në gjendje kritike.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ende nuk po reagon për të kryer testim masiv të popullatës. /noa.al/