Transmetuar më 27-03-2020, 23:27

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero vlerëson se karantinimi dhe izolimi i popullsisë e ngadalëson transmetimin e virusit, por nuk është zgjidhja pasi ajo sipas tij, do të vijë nëpërmjet vaksinës.

Dr.Pipero, në një lidhje direkte në emisionin Zonë e Lirë, tha se duke u konsultuar me një studim të fundit vlerësohet se “vjeshta ose fundi i këtij vitit do të na gjejë me një vaksinë të prodhuar”.

Duke u ndalur në situatën në vend, z.Pipero tha se kjo javë që jemi dhe java e ardhshme do të jenë javë të vështira".

Sa i përket gjendjes së pacientëve të infektuar në Shqipëri, Pipero tha se deri në këtë moment janë të shtruar 71 persona, një e pesta e të cilëve janë nën 50 vjeç dhe 6 janë të intubuar.

Ai iu përgjigj gjithashtu një pyetjeje që është bërë shpesh këto ditë në lidhje me transmetueshmërinë e virusit nga paratë.

Mjeku tha se “njerëzit duhet të lajnë duart dhe jo paratë”, duke lënë të kuptohet se kjo mjafton për të qenë më të sigurt.

Pëllumb Pipero, mjek i Spitalit Infektiv, për disa vite drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, ushtron detyrën e mjekut infeksionist prej 38 vjetësh. /noa.al/