Transmetuar më 27-03-2020, 23:09

Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar Maqedoninë e Veriut pasi sot ajo u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s. Basha shprehet se ky është një proces i vonuar por tërësisht i merituar pasi Maqedonia e Veriut do jetë vlerë e shtuar për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Po ashtu lideri opozitar shqiptar thekson se shpreson që Aleancës t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit.

“Kam kënaqësinë të uroj përzemërsisht, fqinjin tonë, autoritetet shtetërore, vëllezërit dhe motrat tona dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mirëseardhjen në familjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Pa asnjë mëdyshje, ky është një proces i vonuar, por një arritje plotësisht e merituar, një ngjarje historike për MV dhe me peshë gjeostrategjike për NATO-n, që do të shërbejë si një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë.

Uroj dhe besoj fort që shpejt aleancës sonë t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit, dhe që politika e sukseshme e zgjerimit të NATO-s në rajon, të shërbejë si shembull për procesin e anëtarësimit të vendeve tona mbi bazë të meritës në Bashkimin Europian”, shkruan Basha.

Pas shumë përpjekjesh, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s ku një rol kyç në këtë proces luajti marrëveshja e Prespës me ndryshimin e emrit teksa DASH po sot deponoi protokollin për anëtarësim. Prej të hënës dhe në vijim flamuri maqedonas do jetë mes 30 shteteve anëtare të NATO-s./b.l/noa.al/