Transmetuar më 27-03-2020, 21:25

"Virusi prek të gjitha moshat, madje edhe të rinjtë janë të rrezikuar". Ky ka qenë paralajmërimi i dhënë së fundmi nga mjekja e OBSH-së Maria Van Kerkhove.

Në konferencën e zakonshme të mbajtur për të komunikuar përditësimet mbi COVID-19, Maria Van Kerkhove kujtoi se sa serioze është situata jo vetëm për të moshuarit, por edhe për gjeneratat e reja.

"Ky është një virus që mund të shkaktojë infeksione dhe sëmundje te njerëzit e çdo moshe. Mund të shfaqë sëmundje të lehta, serioze dhe madje mund të vrasë. Të rinjtë nuk janë të përjashtuar nga ai", tha ajo.

"Për shumicën e të rinjve është një infeksion i lehtë, por ekziston një 10-15% që mund të kenë pasoja të rënda" shton doktori Mike Ryan.

Mjekët shprehen se të gjithë duhet ta fiksojnë këtë gjë dhe të mos e anashkalojnë, pasi sipas tyre shpesh kjo lihet në heshtje, ndërsa kanë kujtuar dhe rastin e sotëm të vdekjes së 16-vjeçares, Julie.

Vajza është viktima më e re e Coronavirus, dhe jetonte në Francë. Sipas prindërve, vajza e re ishte e shëndetshme, por më pas pati komplikime nga COVID-19.

Drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus gjithashtu shpjegoi: "Ka mbi gjysmë milioni raste të infeksionit Covid-19 dhe mbi 20,000 vdekje. Këto janë numra tragjikë, por të mos harrojmë se qindra mijëra njerëz në botë janë shëruar ".

Sa për mundësinë e një vaksine, shpresat ende duken shumë të paqarta: "Vaksina kundër Covid-19 është ende larg: do të zgjasë të paktën 12-18 muaj", shtoi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Në një pasazh të fundit, drejtori ende kujton përpjekjen e personelit shëndetësor: “Mungesa e materialeve mbrojtëse për punonjësit e shëndetit është një kërcënim urgjent për luftën kundër koronavirusit. Nëse mjekët dhe infermierët janë në rrezik, ne të gjithë jemi në rrezik "./b.l/noa.al/