Transmetuar më 27-03-2020, 11:31

Shkon në 186 numri i personave të prekur nga koronavirusi, ku vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 12 raste të reja.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informoi se në 24 orët e fundit janë testuar 102 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1246 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 186 raste.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe në mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë dy pacientë, një 85 vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga Fieri të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv. Fico konfirmoi se shkon në 8 numri i personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar dhe prej tyre 5 janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Pukë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër dhe Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon Tiranë- 107 raste; Durrës- 11 raste; Lushnje-4 raste; Elbasan-5 raste; Rrogozhinë-2 raste; Fier-20 raste; Kavajë- 4 raste; Korçë- 12 raste; Vlorë-5 raste; Shkodër- 4 raste;  Lezhë-4 raste; Berat- 1 rast; Has 2 raste; Krujë 1 rast; Tropojë 2 raste; Pukë 2 raste.

Deri tani ka një mjek dhe një infermier të shëruar dhe në total janë 31 të shëruar, pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital.

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë.

“Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!”, deklaroi Fico.

PËRDITËSIM LIVE