Transmetuar më 27-03-2020, 11:02

Mjeku Diamant Shtiza, i bën apel prindërve që të izolojnë tërësisht fëmijët pasi ekspozimi i tyre në mjedise të ndryshme i jep shanse depërtimit të koronavirusit, sidomos për të vegjlit me imunitet jo të fortë.

Në intervistë me AbcNewa, dr. Shtiza ka folur për pasojat që mund të shkaktojë koronavirusi te fëmijët.

Ai tha se pavarësisht se nga COVID-19 rrezikohen më shumë personat e moshuar kjo nuk do të thotë se ndaj fëmijëve duhet të tregohemi të pavëmendshëm.

“Rastet fatale ka qenë më të shumtë te të rriturit, por kjo nuk do të thotë që fëmijët duhet të anashkalohen. Ky është një virus si të gjithë viruset e tjerë dhe mund të prekë organizmat e të gjithë moshave", tha mjeku.

Në vijim ai apeloi: "Këshillojmë që për të gjithë fëmijët të kemi një izolim total. Vetëm në raste specifike duhet të paraqiten në spitale për të bërë kontrolle. Fëmijët që kanë imunitet më të ulët, në rast të kontaktit me një person me virus do t’i rrezikonte shëndetin".

Për Prof. Asc. Diamant Shtiza, te rastet që janë me probleme kronike gjithmonë ekziston rreziku, duke përmendur fëmijët që janë me hemodializë dhe me transplante renale që janë në kushte të trajtimeve.

"Fëmijëve që janë me transplant i kemi mundësuar recetat e rimbursuara, në mënyrë që të evitojnë çdo lloj kontakti. Familjarët duhet të shmangin kontaktet me jashtë, të marrin masa të rëndësishme”, u shpreh ai.