Transmetuar më 27-03-2020, 09:02

Testet që Spanja porositi në Kinë për të testuar në masë popullsinë, nuk i tregojnë rastet me koronavirus, ashtu siç ishte parashikuar.

Është kjo ajo që shkruan revista ‘El Pais’, duke cituar një burim, i cili ka marrë pjesë në analizat e para.

Testet e shpejta të prodhuara nga një agjenci kineze me seli në Shenzhen, nuk funksionojnë mirë dhe cilësohen si të papërdorshme.

“Kanë një ndjeshmëri në masën 30%, kur duhet mbi 80%”, shkruan gazeta duke cituar një ekspert i cili sqaron se me atë vlerë, përdorimi i testeve bëhet i pamundur.

Edhe e përditshmja ‘El Mundo’, i ka dedikuar një shkrim testit.

Në të thuhet se, “Shumë pacientë të cilët iu nënshtruan testit Pcr dhe dolën pozitiv, rezultojnë negativ”.

Lidhur me rastin ka ndërhyrë ambasada kineze në Spanjë, duke pretenduar se Madridi i ka blerë testet nga një kompani e cila nuk ka licencë zyrtare nga China National Medical Products Administration.

Testet e shpejta shpjegon ‘El Pais’, funksionojnë ngjashëm me testet e shtatzënisë, veçse përdoret pështyma dhe rezultati merret për 10-15 minuta,

Fillimisht qeveria spanjolle bleu 340 mijë kite për të analizuar në masë punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit e shtruar dhe në një moment të dytë, testimet do të shtrihej në popullsinë e gjerë, shkruan noa.al.

Sakaq të enjten, Qeveria spanjolle, njoftoi se ka porositur 5 milionë teste të reja, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtën kompani prodhuese.

Në Spanjë deri më tani numri i të prekurve nga Covid-19 ka shkuar në 57786, ndërsa i viktimave në 4365. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE