Transmetuar më 26-03-2020, 23:50

Koronavirusi është bërë shqetësues në mbarë botën.

Izolimi është këshilla më e vlefshme për të gjithë, duke qenë se nuk ka një vaksinë për këtë virus vdekjeprurës.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një lidhje në emisionin “Opinion”, këtë mbrëmje tha ndër të tjera se janë marr të gjitha masat që personat e identifikuar si të prekur nga koronavirusi, por që qëndrojnë sipas saj në kushte shtëpie, të mos e thyejnë këtë izolim.

Lidhur me situatën në vend dhe rritjen e ndjeshme të numrit të rasteve, Manastirliu e cilësoi të pritshme, pasi tashmë Shqipëria ka hyrë në ditët e fundit të javës së tretë, kur periudha e inkubacionit të virusit ka përfunduar.

“Shqipëria sapo ka filluar një rritje të numrit të rasteve. Jemi në ditët e fundit të javës së tretë. Është normale dhe e pritshme kjo rritje, pasi ka përfunduar periudha e inkubacionit dhe përballja me simptomat është më e lartë. Kur do të jetë piku i Shqipërisë akoma nuk mund ta themi sot, pasi akoma nuk ka shifra të plota mbi një model që mund të jetë modeli i  grafikut në Shqipëri. Ajo që mund të themi është që me masat që janë ndërmarrë synohet që ne të kemi një kodër dhe jo një mal, si në rastin e Italisë duke ulur efektet e një rritjeje eksponenciale”, tha Manastirliu.