Transmetuar më 26-03-2020, 14:48

Redaksionale NOA.al – Mesazh sensibilizues 

Organizata Botërore e Shëndetësisë është vërtet një institucion më së shumti rekomandues, por apeli "testoni, testoni, testoni", nuk është për t’u shpërfillur. Në kushte të një bote që më së shumti është e lirë dhe demokratike, kjo është zgjidhja e vetme me efekt të shpejtë. Ose përndryshe, njerëzit të përballen me fenomenin kinez ku u burgosën në kushte shtëpiake duke dalë për blerje vetëm një anëtar familjeje çdo tri ditë. Këtë, nuk e ka bërë asnjë shtet tjetër deri më sot dhe as nuk duket ta bëjë ndokush.

Kurse Koreja e Jugut bëri pikërisht atë që më pas e apeloi OBSH, testim masiv të njerëzve. Dhe jo vetëm kaq, por aplikon edhe informim të qytetarëve në kohë reale. Kjo po funksionon atje duke mos ndërmarrë asnjë masë drastike që ka përfshirë mbarë botën. Në Kore aktualisht ka jo më shumë se afro 100 raste ditore, ose dhjetëra herë më pak se në shumë vende të BE.

Në Shqipëri, për fatin e mirë të qeverisë, popullata është shumë më e vogël se pjesa më e madhe e Europës.

Po ashtu, kostoja për tampon nuk është shumë e lartë, në rastin më të shtrenjtë, 120 euro, pa përmendur se kanë dalë dhe tamponët e prodhuar me çmim shitjeje 25 euro. E pra, do të mjaftonin deri në 336 milionë euro që mbarë popullata të testohej dhe kështu të ndërpritej zinxhiri i transmetimit të virusit që erdhi në Shqipëri përmes Italisë, pasi qeveria zgjodhi të mos i mbyllë kufijtë pa nisur rastet e para.

Bërja e tamponit nga qytetarët, do të çonte në identifikim të tyre duke shmangur atë që po ndodh sot, kërkim më tym, nën terr informimi parandalues, të rasteve vetëm kur ato dalin në pah me shenja serioze. Në të tilla kushte, virusi përhapet më shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar sepse mbetet në dorë të njerëzve që kanë shkallë të ndryshme ndërgjegjësimi, kujdesi dhe përgjegjshnërie.

Në të kundërt, bërja e tamponëve te popullata do të sillte rezultat të shpejtë. Autoritetet do të kishin të gjitha të drejtat që të izolonin në karantinë shtëpiake apo dhe shtetërore të infektuarit duke gjykuar nga shkalla e prekjes nga ky virus. Kjo do të sillte ndërprerjen e zinxhirit transmetues dhe zhdukjen e shpejtë të virusit në Shqipëri. Për pasojë do të rikthente jetën normale të njerëzve.

Por, kjo masë nuk do të vijonte të ishte efektive, nëse rihapja e kufijve do të shoqërohej me mënyrën e pafalshme që qeveria menaxhoi situatën para daljes së rasteve të para: matje temperature në aeroport e tek tuk në kufijtë detarë e tokësorë, si dhe rekomandim(!) në media që të kthyerit nga Italia të qëndronin 14 ditë në shtëpi.

Nëse kjo do t’i lihej sërish në dorë qytetarëve, një pjesë e mirë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, atëherë virusu do të gjente tryezë gostie sërish. Që njerëzit janë në një pjesë të tyre të papërgjegjshëm këtë e tregon komunikata policore që edhe sot, përditë evidenton raste të ardhurish nga jashtë që thyejnë urdhrin shtetëror të 10 marsit për vetëkarantinim.

Nëse do të vazhdohet kështu, me pranim të situatës dhe përshtatje me të duke shpenzuar parà, kohë dhe durim me ngritje strukturash të reja spitalore dhe vetëm tek-tuk testime, ashtu siç ekspertët e OBSH dhe mjekë nga mbarë bota po e thonë, zgjidhja nuk është aspak afatshkurtër dhe për rrjedhojë, shumë jetë njerëzish ekspozohen ndaj vdekjes. /noa.al/