Transmetuar më 26-03-2020, 12:56

Vogëlushja e sëmurë me tumor, përshëndet nga dritarja të atin, i cili nuk mund të hyjë në ambientin ku ajo ndodhet, për të shmangur mundësinë e transmetimit të koronavirusit.

Fotografia e shkrepur nga Lynda Sneddon, është një ndër më kuptimplotat në betejën kundër Covid-19. Frika e transmetimit tek personat më të dobët, ndarja e familjeve, të përmbledhura në një imazh të vetëm.

Vogëlushja Mila, 4 vjeç, jeton me familjen në Falkirk, të Skocisë dhe po i nënshtrohet kimioterapisë, pasi në muajin nëntor u diagnostikua me tumor.

Nëna dhe babai i Mila, zgjodhën që të jetojnë në shtëpi të ndryshme, në këtë moment emergjence, për të mbrojtur vajzën e tyre, në këtë moment delikat.

Babai Scott, po vazhdon të punojë dhe është i ekspozuar ndaj rrezikut të ngjitjes dhe nëse e çon virusin në shtëpi, për Mila mund të jetë fatale, ndaj nënë e bijë janë izoluar në shtëpinë e tyre, ndërsa babai ka mbetur jashtë.

Kontaktet e vetme babë-bijë janë nëpërmjet video-telefonatave, ose nga dritarja, prej nga vogëlushja i dhuron puthje të atit, shkruan noa.al.

“Fillimisht Mila ishte e çorientuar dhe më pyeste se pse i ati nuk mund të futej. Mu desh shumë që t’ia shpjegoja. Shpresoj që historia jonë të ndihmojë për të kuptuar rëndsinë e qëndrimit në shtëpi, pasi persona vulnerabël si Mila janë në rrezik serioz”, thotë nëna e saj Lynda. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE