Transmetuar më 26-03-2020, 12:04

Deputetja Rudina Hajdari po i kalon ditët e izolimit në karantinë bashkë me vajzën e saj Sihana, ndërsa bashkëshortin e ka në SHBA ku edhe ai është izoluar.

“Jam në shtëpi e izoluar. Kemi dy javë që jemi në shtëpi bashkë me vajzën. Ditë pas dite jemi mësuar të krijojmë rutinën që mos të na shkojë dita kot. Unë jam e angazhuar me punët e mia. Jam e angazhuar me vajzën e cila ka pjesën e vet. Bëjmë aktivitete të ndryshme me vajzën që dhe ajo të mos mërzitet.

Bashkëshorti im është në Amerikë, ku dhe është izoluar. Vajza flet me të atin dhe me gjyshërit në telefon. Jemi duke e ndjekur situatën që po kalojnë të gjithë, armiku që na ka dalë përpara nuk do t’ia dijë për askënd”, – tha Rudina Hajdari në një video-bisedë në Vizion Plus.

Për deputeten Hajdariz gatimi paska qenë një pasion i fshehur, pasi ajo shpesh në rrjetet sociale po tregon që gatuan me vajzën e saj një shumëllojshmëri recetash.

“Sapo kam gatuar. Pilaf me pulë me erëza dhe perime të ziera që vajza të ushqehet me proteina. Mundohemi të mos hamë shumë. Gatimi është si detyrim këto ditë dhe mundohem të gatuaj me vajzën që ta shijojmë më shumë”, tregon ajo.

Teksa ka komentuar masat shtrënguese të qeverisë, Hajdari i cilësoi ato të rrepta, por të duhura.