Transmetuar më 26-03-2020, 11:51

“Është ende është herët të themi se kur do të dalim nga kjo situatë. Masat e marra deri më tani kërkojnë kohë përpara se ato të shpalosin efektet e tyre”.

Kështu shkruan Kryeministri italaian, Giuseppe Conte, në një letër të gjatë mbështetjeje për qytetarët e veriut të vendit, botuar në gazetat e katër rajoneve italiane më të prekura nga koronavirusi.

“Ajo që ne të gjithë duhet të bëjmë tani, dhe nuk përjashtoj askënd, është që të vazhdojmë të respektojmë rregullat. Në orët në vijim, mjekë dhe infermierë të rinj do të arrijnë në të gjithë Lombardinë dhe në provincat e tjera që vuajnë më shumë, siç është Piacenza. Midis tyre do të ketë edhe mjekë të shumtë, të cilët nga e gjithë Italia janë bashkuar me forcën e punës, ndërsa spitalet ekzistuese janë duke u përforcuar dhe të reja po aktivizohen. Dhe kështu do të jetë për spitalet e Brescia, Cremona, Piacenza e për të gjitha spitalet e tjera që janë në gjendje emergjence. Në Bergamo, spitali fushor i shoqatës kombëtare Alpini së shpejti do të funksionojë. Dhe gjithashtu në Bergamo, 27 mjekë dhe 4 infermierë ushtarakë kanë nisur shërbimin në Spitalin Papa Giovanni XXIII”, shkruan Conte.

Ai shton më tej se gjatë këtyre ditëve po shikon se si kryetarët e bashkive të Bergamos, Brescia, Cremona dhe Piacenza, të cilët janë edhe në vijën e parë, si shumë kryetarë të bashkive në të gjithë Italinë, me kurajo dhe vendosmëri, janë vënë përballë këtij testi, përkrah bashkëqytetarëve të tyre.

Konte shkruan dhe për njerëzit më në nevojë: “Unë i kam pyetur në lidhje me vështirësitë që po përjetojnë personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, të cilët po i ndihmojmë për t’i mbështetur me rritjen e lejeve të pushimit të jashtëzakonshëm. Ne gjithashtu po u kushtojmë vëmendje maksimale të moshuarve në shtëpi dhe kujdesit ndaj tyre, në mënyrë që ata të mos mbeten vetëm”, shkruan ndër të tjera Kryeministri italian. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE