Transmetuar më 26-03-2020, 11:30

Përditësuar 11.54 – Në një kohë kur pandemia e COVID-19 ka përfshirë thuajse gjithë botën, shifrat çdo minutë po ndryshojnë. Kështu, nga të dhënat e OBSH-së, në nivel global, numri i personave të prekur nga ky virus vdekjeprurës ka shkuar në 486 702.

Në rastet e mbyllura me total 139.466 të prekur janë 22020 të vdekur ose 16 për qind e tyre dhe 117.446 të shëruar ose 84 për qind.

Në rastet në trajtim e sipër, ndër 347.236 të prekur, 14.936 janë në gjendje kritike ose 4 për qind dhe 332.200 nën mbikëqyrje mjekësore ose 96 për qind.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prekur 68.489 dhe numri i viktimave deri më tani ka shkuar në 1032, ndërkohë në Kinë raportohet se brenda 24 orëve ka pasur 67 raste të reja si dhe 6 persona që kanë humbur jetën.

Sakaq, në Italia deri dje pasdite ishin konfirmuar 74.386 persona të prekur, mes tyre 7.503 janë viktima. Një numër të lartë të prekurish ka dhe në Spanjë, vendi i dytë pas Italisë më i goditur në Europë, me 49515 të prekur. Po ashtu në Gjermani ka 37.323 persona të prekur nga koronavirusi, ndërsa në Francë 25.233.

Dramatike paraqitet situata dhe në Britaninë e Madhe ku ka 9.529 të prekur, ndërsa në Holandë ka 6.412 raste. OBSH bën me dije se numri i të prekurve në Turqi ka shkuar në 2.433, në Greqi 821, ndërkohë në Maqedoninë e Veriut 177 si dhe në Mal të Zi 53 të prekur. Aktualisht në vendin tonë raportohet për 174 persona të prekur, ndërsa në Kosovë 71.