Transmetuar më 26-03-2020, 11:17

Nuk kanë reshtur vlerësimet “heronj” apo “engjëj” për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të sistemit shëndetësor, të cilët po përballen me emergjencën e koronavirusit.

Por ka dhe reagime të ashpra. Një e vërtetë e hidhur vjen nga provinca e Pisës në Itali, ku një mjeke e detyruar të punojë me turne të gjata dhe natën, përfundoi në qendër të kritikave të banorëve të pallatit.

Në derën hyrëse të godinës së banimit ishte ngjitur një letër, e cila u dënua nga spitali ku gruaja punon.

Siç raporton ‘Il Tirreno’, mjekja e cila punon në spitalin e Cisanello (Pisa), kur u kthye në shtëpi gjeti mesazhin që i drejtohej asaj, ku shkruhej: “Dije se në këtë pallat jeton një e sapolindur 6 muajshe dhe një zonjë e ve mbi 80 vjeçe. Ndaj bëj kujdes kur përdor hapësirat e përbashkëta apo prek kangjellat, shkallët dhe ambientet ku ecim”. Ky reagim vjen si pasiguri e banorëve se mos me prekjen e sipërfaqeve të përbashkëta nga mjekja, mund të infektohen banorët fqinjë.

Spitali ku punon mjekja, reagoi përmes përfaqësuesve në Urdhrin e Mjekut, Stefano Taddei dhe Marco Taddei: “Kjo është një sjellje e turpshme, për të cilën nuk mund të qëndrosh në heshtje. Kur mjekët ikin nga spitali, çdo gjë ndodh në kushtet e sigurisë maksimale dhe çdo gjë higjienizohet”. /a.y/noa.al