Dy fëmijë me koronavirus në Shqipëri, flet shefja e Pediatrisë
Transmetuar më 26-03-2020, 01:14

Shefja e infektivit të pediatrisë, Gjeorgjina Kuli ka thënë mbrëmjen e sotme se janë dy fëmijë të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.

Kuli pohoi se fëmijët janë të moshës 0-14 vjeç të cilët sipas saj kanë rezultuar pozitiv duke shtuar se njëri prej tyre po trajtohet në shtëpi.

“Vetëm dy fëmijë, të moshës 0-14 vjeç, kanë rezultuar pozitivë. Njëri pa shenja, ndërsa tjetri po trajtohet në shtëpi, nuk ka nevojë për shtrim në spital”, deklaroi Kuli për A2.

Kur u pyet nëse ka një trajtim të veçantë për fëmijët, Kuli tha se përdorimi i antibiotikëve tolerohet më mirë nga fëmijët.

“Do të preferonim paracetamolin, duhen konsumuar shumë lëngje nga fëmijët dhe ushqim i shumëllojshëm. Këto janë trajtimet kryesore për mjekimin e fëmijëve. Por, nëse pas 4-5 ditësh fëmija ka shenja të rënduara, si frymëmarrje të vështirë apo kollë të fortë, duhet të drejtohemi te mjeku pediatër ose duke komunikuar me 127-n”, tha ajo.

Sipas Kulit, nëse do të ketë raste të tyre që do të shtrohen në spital, “fëmijët do të kenë pavion të tyre, me hyrje të veçantë, krejtësisht i izoluar nga pjesa tjetër e spitalit”.

Loading...