Transmetuar më 25-03-2020, 20:49

Një nga 17 pacientët e shëruar nga koronavirusi në Shqipëri, Erind Cara, tregoi ekskluzivisht për  emisionin “Vizioni i Pasdites”, luftën më virusin që nga simptomat e para, shtrimin në spitalin e infektivit e deri në shërimin e  tij.

Ai shprehu se nuk e priste të rezultonte pozitiv me koronavirus dhe simptomat i konsideronte si thjesht të një ftohjeje apo një gripi.

“Ishte një diçka që se mendoja kurrë, pavarësisht se kalova një moment ftohjeje. Një javë më parë se të rezultoja i infektuar kisha temperaturë. Fazën e keqe e kalova në shtëpi, me temperaturë e djersë… për tu kontrolluar, sepse ndjeva vështirësi në frymëmarrje, shkova në Sanatorium, bëra një skaner. Pastaj u shoqërova në infektiv sepse ata dyshuan që ishin simptomat e koronavirus,”-shprehet ai.

I pyetur nga moderatorja Evi Reçi se si është situata e tij shëndetësore momentalisht, dhe cili ka qenë reagimi i familjarëve të tij, Cara shprehu:

“Jam i qetë në shtëpi me familjen, jam shumë i lumtur. Normalisht nuk është e lehtë, por duhet të jemi të fortë… Fatmirësisht familja është shumë mirë. Nuk ka asnjë shenjë, asnjë shqetësim sa të kalojnë në fazë e testimit. Diçka e paparashikueshme, 25 vite që bëj sport, stërvitje 6 herë në javë… nuk e kisha menduar asnjëherë… E paparashikueshme… një (mënyrë si u infektova) konkrete nuk arrij ta gjej…,”-tha ai.