Transmetuar më 25-03-2020, 16:16

Meksika vijon të mos e “vërë ujin në zjarr”, teksa e gjithë bota është përfshirë nga emergjenca e koronavirusit.

Kështu Presidenti, Andres Manuel Lopez Obrador, bën një ftesë publike për të gjithë popullin e tij që të dalin nga shtëpia dhe të mos marrin masa “të tepruara”, përballë emergjencës së koronavirusit.

Përkundrazi ai fton që, “Nëse mundeni dhe keni mundësi ekonomike, nxirreni familjen për të ngrënë, në restorante, bujtina, bëjeni pasi kjo do të thotë të forcosh ekonominë familjare dhe popullore”.

Mesazhi i tij u dha nëpërmjet një video të xhiruar nga një restorant në shtetin e Oaxaca dhe të shpërndarë në rrjetet sociale.

Lopez Obrador shtoi se vendi i tij është ende në fazën 1 të emergjencës, atë ku të prekurit vijojë të jenë persona të ardhur nga përtej kufirit.

“Nëse paralizohemi nuk ndihmojmë. Mos u trembni, mos u nxitoni”, thotë ndër të tjera Presidenti.

Në Meksikë deri më tani, numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 405, ndërsa i viktimave në 5. /a.y/noa.al