Transmetuar më 25-03-2020, 16:04

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka folur për mbarëvajtjen e mësimit që po bëhet online në këto ditë karantinimi në Shqipëri.

Në video-mesazhin e radhës përmes rrjeteve sociale, Ministrja Besa Shahini ka dhënë edhe një lajm të mirë për universitetet ku thotë:

“40 mijë studentë tashmë kanë kaluar në mësim online. Janë mbi 1 mijë lëndë që kanë kaluar në mësim online. Pedagogët po punojnë jo vetëm duke përdorur email-in apo rrjetet sociale, por edhe platformat e ndryshme që janë në dispozicion falas. Është Zoom, Google Classroom, EZtalks – janë disa nga platformat që po krijojnë edhe klasën virtuale, ku pedagogu mund të bëjë edhe biseda me studentët e vet dhe e riprodhon formatin e një klase të zakonshme”.

Sa i përket pyetjeve për provimet kombëtare të maturantëve dhe nxënësve të klasave të nënta, Shahini tha se nuk është marrë ende një vendim. Në fjalën e saj tha se ekziston shpresa që nxënësit të kthehen në bankat e shkollës me 6 prill. Çdo vendim do të merret në bazë të situatës.

“Unë ende po shpresoj që ne do të kthehemi në bankat shkollore me 6 prill siç kemi planifikuar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të marrim një vendim në lidhje me formatin e provimeve kombëtare, vështirësinë e pyetjeve, si dhe datat kur do të mbahen”, tha Shahini.

Ministrja Shahini i është përgjigjur edhe pyetjeve të prindërve që thonë se mësuesit po i konfuzojnë nxënësit me platformat e ndryshme që po përdorin.

“Unë kërkoj nga prindërit që të kenë pak mirëkuptim. Mësuesit tanë kanë bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm. Brenda natës kanë kaluar nga dërrasa e zezë në punë përmes ekraneve të telefonave të tyre celularë apo edhe të laptopëve të tyre. Kështu që, e gjithë kjo punë që është bërë nga ata vetë që të eksplorojnë platformat më të mira që u mundëson atyre të punojnë sa më shumë që është e mundur me fëmijët tuaj e me nxënësit e vet (ose “një me një” ose “në formë klase”), duhet t’i mirëkuptojmë që në këtë fazë ndoshta edhe kanë kaluar nga një platformë tek tjetra”, theksoi Ministrja Besa Shahini./a.m/noa.al