Transmetuar më 25-03-2020, 05:50

Kina, vendi ku shpërtheu pandemia e koronavirusit u duk sikur i shpëtoi infektimeve të reja, pasi në nivel lokal nuk është shënuar asnjë rast i ri.

Megjithatë, frika nuk ka kaluar pasi atje ka disa raste infektimesh të reja me personat që vijnë nga vendet e huaja. Fatjona Ndreu Halili, zhvilluese kurrikule në Kinë tregoi në Tv Klan se në vendin aziatik vijojnë të jenë akoma në fuqi masat e rrepta.

Sipas saj, rasti i parë i infektimit me koronavirus i importuar nga vendet e huaja me nënshtetësi jo kineze është nje person me nënshtetësi shqiptare.

“Situata në Pekin është shumë më e qetë, është më mirë, sepse nuk ka pasur raste lokale më të shtuara me një punë të jashtëzakonshme, të gjitha masat vazhdojnë për të mos thënë që ka edhe të shtuara, por është problematik rasti i rasteve të importuara. Në Pekin prej dy javësh nuk ka patur asnjë rast lokal, ndërkohë në momentin që flasim ne ka 39, 40 raste të importuara. Për fat të keq dua ta them këtë, sot Komiteti i Shëndetit Publik ka raportuar se rasti i parë i të huajve të ardhur në Kinë me nënshtetësi jo kineze është një shqiptar. Nuk e di nëse është i ardhur nga Shqipëria apo vende të tjera, nuk kam informacion për këtë, por thuhet që rasti i parë i një të huaji të importuar me një nënshtetësi të huaj është shqiptar”, tha Halili.

Ajo nënvizoi se Kina ka marrë masa shumë të rrepta për personat që hyjnë në vend.

“Janë marrë disa masa shumë të rrepta për të gjithë të ardhurit. Janë devijuar të gjitha uljet e avionëve të nisur për në Pekin. Ulen në aeroporte të tjera, duhet të bënin teste, nëse dalin pozitivë marrin trajtim nga shteti aty ku janë, ndërsa nëse dalin negativë futen në karantinë të detyrueshme për 14 ditë në vende të përcaktuara nga autoritet dhe me shpenzimet e tyre”, tha Halili.