Transmetuar më 25-03-2020, 01:40

Mes nëntë personave të evidentuar të martën 24 mars, si të prekur me koronavirus në qytetin e Korçës, është dhe një punonjëse e Agjencisë së Kadastrës.

Punonjësja e Hipotekës ka rezultuar si pozitive ndaj testit të COVID-9, për pasojë edhe pjesa tjetër e stafit është futur në karantinë për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Mësohet se të gjithë punonjësit e kësaj zyre janë duke punuar nga shtëpia. Zyra e Hipotekës tha se do të pranojë aplikime dhe kërkesa për dokumentacion, vetëm nëpërmjet e-Albania.

Lidhur me rastin, drejtoria rajonale e Kadastrës doli me këtë njoftim zyrtar:

"Të nderuar qytetarë, me keqardhje ju njoftojmë se një prej familjarëve të një prej punonjëseve të Drejtorisë Rajonale Korçë, pas egzaminimit rezultoi pozitive në testin e virusit Kovid 19. Në zbatim të protokolleve mjekësore të miratuara, testit ju nënshtruan edhe familjarët e qytetarit në fjalë, përfshirë dhe punonjësen tonë. Meqenëse edhe ajo rezultoi pozitive në këtë test, aktualisht i është nënshtruar procedurës mjekësore të vetëizolimit në familje.

Nga ana jonë, në zbatim të protokolleve mjekësore, u mor vendimi për t’ia nënshtruar vetëizolimit të gjithë punonjësit e asaj Drejtorie Rajonale, gjë e cila ka filluar të aplikohet që prej ditës së djeshme.

Për këtë arsye nga dita e sotme dhe deri në një njoftim të dytë, Drejtoria Rajonale Korçë do të jetë jofunksionale. Do të jemi vazhdimisht në kontakt me strukturat përgjegjëse shëndetësore, për të ndjekur ecurinë e mëtejshme të stafit. Duke ju kërkuar ndjesë qytetarëve, bashkarisht i urojmë punonjëses tonë shërim të shpejtë".