Transmetuar më 25-03-2020, 01:27

Tre raste të reja me koronavirus u konfirmuan ditën e martë 24 mars në Fier. Mes tyre, një prej të prekurve është djali i deputetes së Partisë Socialiste, Antoneta Dhima.

Deputetja duke folur me media lidhur me rastin, tha se djali ka qenë i kujdesshëm dhe se nuk e dinë nga e kishte marrë. Ndërkohë e gjithë familja e deputetes është futur tashmë në karantinë në Fier.

Raportohet se 26-vjeçari pasi ka rezultuar pozitiv me Covid-19, është dërguar në spitalin Infektiv për të marrë trajtimin mjekësor.

Lidhur me rastin e të birit, pak para mesnatës duke hyrë e mërkura 25 mars, zonja Dhima bëri këtë deklaratë publike:

"Pas publikimit të një informacioni të dhënë miqësisht, më lind e drejta që në këtë situatë jo shumë të këndëshme të ndalem edhe unë me pak fjalë.

Si qytetarë që punojmë e jetojmë në këtë vend, nuk jemi të përjashtuar nga asgjë, aq më tepër nga sëmundjet dhe “armiqtë e padukshëm”.

Është e vërtetë që im bir ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19, dhe tashmë ndodhet në mjediset e Spitalit Infektiv nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve pas disa ditëve karantinë në shtëpi.

E ndodhur përballë këtij fakti, si nënë, kam bërë gjthcka munda për të evitur kontaktet e tim biri me persona të tjerë, ndërsa u pa e arsyeshme që ai të qëndronte nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve.

Besimplotë se falë punës dhe përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, gjithcka do të shkojë siç duhet, doja t’ju thosha të gjithëve që të tregoheni të kujdessshëm, të zbatoni rregullat dhe respektoni vendimet e marra.

Edhe pse ende nuk e di se si im bir është prekur nga ky virus, këshilla ime si nënë është të ruani veten, pasi vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë, të ashpër por jo të pamundur!".