Transmetuar më 24-03-2020, 23:37

24 Mars 2020/ Informacion i përditësuar për koronavirusin COVID-19

Situata në vendin tonë sipas MSHMS

Në vendin tonë deri më sot (24.03.2020) janë testuar 930 raste të dyshuara për COVID-19 të cilat kanë rezultuar:

123 raste të konfirmuar 5 persona kanë ndërruar jetë 10 pacientë të shëruar

Shpërndarja sipas rretheve të rasteve të konfirmuara me COVID-19,  datë: 24.03.2020

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 19 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 74 testime.

Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, 49 vjeç nga Tirana. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor të spitalit Infektiv, 49-vjeçari nuk arriti të mbijetojë. I ndjeri vuante nga diabeti mellitus dhe ishte prej 10 ditësh në terapi intensive. Deri në këto momente kanë humbur jetën 5 persona të prekur nga COVID-19.

10 qytetarë janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Lezhë, Has dhe Berat dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit.

Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Masat për shtimin e kapaciteteve dhe stokut të mjeteve mbrojtëse Po lidhet kontrata për blerjen e 54 respiratorëve dhe po vijohet procedura për 100 respiratorë të tjerë, që do të mbërrijnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar.

Eshtë arritur të sigurohet rritja e stokut me 25 mijë maska ffp2/ffp3 dhe në vazhdim pritet furnizimi me 140 mijë maska ffp2/ffp3 dhe po planifikohet krijimi i një stoku me plus 200 mijë maskash specifike ffp2/ffp3. Nërkohë kemi në dispozicion një sasi stoku mbi 500 mijë maska të thjeshta dhe kirurgjikale si dhe rreth 650 mijë doreza sterile dhe josterile.

Sa i përket veshjeve speciale do të shtohet në këtë javë me 10 mijë veshje dhe po planifikohet rritjen e stokut me 50 mijë veshje speciale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër falas 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Qëndroni në shtëpi.

Respektoni rregullat e distancimit social.

Respektoni rregullat e higjenës.

Bazuar në rekomandimet e OBSH-së, MSHMS këshillon qytetarët për shtimin e masave të higjienës dhe ndjekjen e rregullave të mëposhtme:

Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes. Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre. Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra). Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve). Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.