Transmetuar më 24-03-2020, 22:35

Zgjedhje shumë e trishtë ajo para së cilës po vendosen pacientë në Britaninë e Madhe pasi rezultojnë në gjendje të rëndë me koronavirus.

Mjekja 32 vjeçare Katie Sanderson ndodhet në repartin e emergjencës akute të spitalit të Londrës. Ajo tregon se po përballet me dilemën se çfarë duhet të bëjë me pacientët kur sheh gjendjen e tyre dhe pohon se i kërkon pacientëve nëse preferojnë të vdesin në spital apo në shtëpi.

"Reparti ynë i emergjencës u tranformua krejtësisht që nga java e kaluar, kjo, nga numri i madh i pacientëve që vijnë çdo ditë. Me pacientët e infektuar nga koronavirusi dhe me familjarët e tyre kam nisur të bëj biseda të tipit, nëse preferojnë të vdesin në spital apo në shtëpi pasi pacientët këtu nuk lejohen të presin vizitorë. Deri një javë më parë nuk kisha imagjinuar kurrë se do të shtrëngohesha të bëja biseda të tilla”, pohon Sanderson.

Ajo i bën thirrje publikut të marrë seriozisht masën e qëndrimit në shtëpi duke theksuar se epidemia Covid-19 po avancon me shpejtësi të madhe në vend.

Ajo shpërthen në lot teksa sheh njerëzit që nuk zbatojnë rregullin e distancimit social dhe tregon se "kolegë të mi këtu kanë shkruar testamentet e tyre prandaj kjo duhet marrë seriozisht”.

Londra është epiqendra e epidemisë në Britaninë e Madhe. Por mjekja Sanderson paralajmëron se shumë shpejt i gjithë vendi do të goditet po aq fort, prandaj i kërkon publikut të mendohen mirë para se të dalin nga shtëpia.