Nuk mjaftoi koronavirusi! Vdes një burrë nga hantavirusi në Kinë
Transmetuar më 24-03-2020, 14:52

Koronavirusi ka shkaktuar panik në të gjithë botën sepse nuk po gjendet kura apo vaksina që mund ta trajtojë dhe çdo ditë vdesin mijëra njerëz.

Si të mos mjaftonte kjo, në Kinë është raportuar se një burrë ka ndërruar jetë prej hantavirusit.

Burri nga provinca Yunnan ndërroi jetë në autobus, kur po kthehej me autobus nga Shandong. Brenda ishin edhe 32 persona të tjerë që po testohen për virusin.

Ngjarja ndodhi ditën e hënë (23 mars 2020), shkruan ‘FirstPost’, raporton edhe Global Times.

Çfarë është hantavirusi?

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, hantaviruset janë një familje virusesh që përhapen kryesisht nga minjtë dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme tek njerëzit.

Mund të shkaktojë sindromën pulmonare hantavirus (HPS) dhe ethe hemorragjike me sindromën renale (HFRS).

Sëmundja nuk përhapet nëpërmjet ajrit dhe mund të transmetohet tek njerëzit vetëm nëse bien në kontakt me urinën, fecen apo kafshimin e një bartësi të infektuar.

Cilat janë simptomat e hantavirusit

Simptomat e para të sindromës pulmonare hantavirus (HPS) përfshijnë lodhje, ethe, dhimbje të muskujve, dhimbje koke, marramendje, të dridhura dhe probleme me barkun. Nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë shumë kollitje dhe mund të jetë fatale, me një shkallë vdekshmërie prej 38 përqind, sipas CDC.

Ndërsa simptomat e HFRS janë të njëjta dhe mund të shkaktojnë presion të ulët të gjakut, tronditje, rrjedhje e gjakut dhe dëmtim akut të veshkave.

HPS nuk mund të transmetohet nga një person tek tjetri, ndërsa transmetimi i HFRS mes njerëzve është jashtëzakonisht i rrallë./a.m/noa.al

Loading...