Transmetuar më 24-03-2020, 13:59

Lezha i shtohet hartës së të prekurve me COVID-19. Pacientja e parë në Lezhë është një infermiere 54 vjeçare, e cila në testin e bërë gjatë natës së mbrëmshme ka rezultuar pozitive.

Lajmi u konfirmua dhe nga Ministria e Shëndetësisë. "Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Lezhë" tha Eugena Tomini.

E prekura me koronavirus ende nuk dihet nga mund ta ketë marrë infektimin, por menjëherë janë marrë masa për të izoluar edhe kolegët e saj nga frika se mund të jenë infektuar.

54 vjeçarja është derguar mbrëmë tek Infektivi në Tiranë, dhe pritet që në bazë të gjendjes së saj të vendoset nëse do qëndrojë tek spitali për terapi intensive ose do të vetëkarantinohet në shtëpi.

Pas lajmit, është dezinfektuar dhe mbyllur qendra shëndetësore e lagjes "Skënderbeg" në Lezhë.

Personeli mjekësor kishte patur kontakte të vazhdueshme me infermieren që u infektua me COVID-19. Shqetësim përbën fakti sa qytetarë mund të jenë prekur nga vizitat që kanë kryer në qendrën shëndetësore dhe në itineraret që ka ndjekur infermierja. b.l/noa.al/