Vuhani ku nisi koronavirusi do të dalë nga izolimi më 8 prill
Transmetuar më 24-03-2020, 13:55

Pas afro 100 ditësh, izolimi i Vuhanit – qytetit kinez ku është shfaqur koronavirusi për herë të parë – do të marrë fund më 8 prill, raporton media shtetërore e Kinës.

Pjesët e tjera të provincës Hubei, kryeqytet i së cilës është Vuhani, do t’i heqin ndalesat në udhëtim nga 25 marsi.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan, në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë, ato janë shpërndarë në mbi 195 vende të botës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, pandemi.

Vendet e prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra për të frenuar përhapjen e saj, duke mbyllur shkollat, bizneset jothelbësore dhe kufijtë.

Aktualisht, epiqendër e sëmundjes, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është Evropa.

Sëmundja deri mesditën e 24 marsit ka prekur mbi 392,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 17,150 kanë humbur jetën. Janë shëruar 103 mijë njerëz.

Kina, ditëve të fundit, ka raportuar për rënie të vazhdueshme të numrit të të infektuarve.

Loading...