Transmetuar më 24-03-2020, 12:07

Rreth 53 punonjës të Kadastrës së Korçës janë vetëkarantinuar pasi një nga punonjësit ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Nisur nga ky fakt ky institucion është mbyllur ditën e sotme, ndërsa të gjithë punonjësit janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.

Edhe punonjësi i prekur me koronavirus është i vetëkarantinuar në shtëpi, pasi gjendja shëndetësore nuk është problematike.

Mësohet se punonjësi në fjalë ka pasur kontaktet me tre nga personat e prekur me COVID-19 në qytetin e Korçës. Tek Kadastra në Korçë puna vijon vetëm online.

Ndërkohë numri i përgjithshëm i të infektuarve sot në Korçë ka shkuar në 9 raste, me 6 raste të reja më shumë se dje.

Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

19 rastet me COVID-19 janë konfirmuar  24 orët e fundit pasi janë kryer 74 testime.

Ndërkohë 10 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë./b.l/noa.al/