Basha: Fasoneritë dhe call center bombë me sahat, të mbyllen urgjent
Transmetuar më 23-03-2020, 21:00

Prej ditësh kryedemokrati Lulzim Basha kërkon mbylljen e fasonerive dhe call center, për shkak të emergjencës prej koronavirusit, duke i cilësuar si bombë me sahat.

Ai thotë se gjatë gjithë ditës së sotme ka qenë në kontakt me përfaqësues të shoqatave të fasonerisë, me pronarë dhe administratorë të call centers, të cilët pas mesazhit të tij, në mënyrë unanime pa asnjë përjashtim, e kanë mbështetur dhe kanë përshëndetur kërkesën e tij.

“Mendoj se Kryeministri duhet t’i dëgjojë ata. Gjithashtu duhet të dëgjojë çdo propozim që vjen, qoftë nga opozita sepse qëllimi im, qëllimi i Partisë Demokratike, i opozitës nuk është as t’i bëjë hije, as t’i bëjë karshillëk Kryeministrit, por të ndihmojë sa është e mundur përmes propozimeve konstruktive për marrjen e masave të domosdoshme në këtë gjendje lufte, siç e ka quajtur, në këtë gjendje të vështirësisë së jashtëzakonshme për njerëzit. Dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë diskutim: E para që këto biznese janë vatra të rrezikshme, të cilat zhvlerësojnë çdo përpjekje tjetër që bëhet për distancimin social, hedhin poshtë çdo përpjekje tjetër që bëhet nëpër shtëpitë duke i mbajtur të izoluar njerëzit, në qoftë se kryefamiljarët, kryefamiljaret në rastin e fasonerisë, i mbledhim në ambiente të mbyllura në një afërsi të tillë fizike me shumë pak mjete mbrojtëse, krejtësisht të pamenaxhueshme. Pra, është qartësisht një bombë me sahat”, u shpreh Basha për ‘Abc’.

Ai shtoi më tej se nuk janë biznese jetike, në veçanti fasoneria, e cila e ka mbi 90% biznesin e lidhur me Italinë apo Francën, apo Spanjën dhe se në komunikimin e përditshëm që kam operatorët ekonomikë në Shqipëri, ka më shumë se dy javë që kjo degë e ekonomisë si dhe degë të tjera kanë stapuar praktikisht.

Në këtë drejtim sqaroi se e tërë Italia është futur prej më shumë se një muaji në një situatë ndalimi të çdo aktiviteti jo esencial ekonomik, po kështu edhe vendet e tjera.

“Pra, nuk bëhet fjalë këtu për aktivitetet jetike për ekonominë. Aktivitetet jetike për ekonominë janë ato që mbështesin zinxhirin e përditshëm të furnizimit me mallra ushqimore, farmaceutike, ujin, energjinë”, tha ndër të tjera kryetari i PD.

PËRDITËSIM LIVE

Loading...