Transmetuar më 23-03-2020, 20:17

Në vijim të masave shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Policia e Shtetit u kërkon të gjithë pensionistëve në zonat urbane e rurale, në qendra të njësive administrative, të mos dalin nga banesat në asnjë orar të lejuar, me përjashtim të rasteve kur kanë një autorizim për të lëvizur ose emergjenca shëndetësore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që në orarin e lejuar të lëvizjes për këmbësorët të lëvizin vetëm ata pjesëtarë të familjes që kanë të nevojshme të kryejnë furnizimin ditor për familjen.

“Të evitohen lëvizjet për çdo arsye tjetër!! Të gjithë ata qytetarë që lëvizin në rrugë, shkojnë në markete, minimarkete, tregje e farmaci, të bëjë kujdes të respektojnë distancën ndërmjet klientëve dhe të mos grumbullohen apo të qëndrojnë në lulishte, parqe apo buzë rrugës”, thuhet në apelin e policisë.

Më tej kërkohet që pronarët e këtyre subjekteve të marrin masa për të vendosur persona të posaçëm që klientët të respektojnë distancën dhe radhën dhe në hyrje të këtyre subjekteve të ketë masa dizinfeketuese për duart.

Policia e Shtetit thotë se vijon të ushtrojë kontrolle të pandërprera në të gjitha zonat urbane e rurale dhe do ndëshkojë sipas ligjit cilindo që shkel këto rregulla. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE