Viktima sonte nga koronavirusi ishte në Sanatorium, infektohen edhe 7 mjekë
Transmetuar më 22-03-2020, 23:14

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sonte  zyrtarisht se ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71-vjeçar, i treti i prekur ne koronavirus.

Noa mëson se 71-vjeçari me origjinë nga Kuçova, i trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ishte shtruar në spitalin Infektiv dhe gjatë mbrëmjes së të dielës pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak atrial.

I ndjeri nuk ishte i evidentuar si rast Kuçove ndaj dhe nuk figuronte në listën zyrtare të MSh. Noa.al kërkoi informacion zyrtar dhe mësoi nga MSH se i ndjeri ishte në listën e Tiranës pasi prej kohësh ishte i shtruar në Sanatorium.

Por ndërsa ndodhej në Sanatorium ai u infektua nga një i afërm i tij që kishte shkuar ta vizitonte para pak ditësh. I afërmi sapo ishte kthyer nga Italia. Pasi u infektua 71-vjeçari, prej tij u prekën edhe 7 mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” të cilët ndodhen në gjendje të mirë dhe të vetizoluar.

71-vjeçari vuante nga disa sëmundje shoqëruese: kancer mushkërie, diabet mellitus, fibrilacion arterial dhe hipertension.

Rasti i 71 vjeçarit paraqet shumë shqetësim sepse zinxhiri i transmetimit të virusit mund të jetë shumë i madh. Që nga vizitori i të ndjerit që mund të ketë infektuar shumë të tjerë. Po ashtu mund të jenë infektuar të tjerë që kanë vizituar ose kanë qëndruar me të ndjerin nga Kuçova.

Ndërkohë ndërsa nga MSH konfirmohet se shtatë mjekë janë infektuar, kjo krijon dhe një shqetësim të shtuar. Këta mjekë mund të kenë infektuar shumë njerëz të tjerë dhe zinxhiri i transmetimit të virusit bëhet edhe më i gjatë. /noa.al/

Loading...