Transmetuar më 22-03-2020, 10:39

Gjatë 24 orëve të fundit, 129 drejtues mjetesh kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit në vendin tonë dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

41 persona janë shoqëruar në ambientet e komisariateve gjatë orëve të fundit pasi nuk respektuan oraret kufizuese. Ata nuk iu bindën urdhrit të policisë për tu futur në banesa që të parandalohet përhapja e koronavirusit dhe në përfundim të veprimeve u gjobitën me 10.000 lekë.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 154 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Policia në Tiranë arrestoi në flagrancë 2 shtetas, konkretisht 42-vjeçarin e identifikuar me inicialet A. R.,, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për moszbatimin e urdhrit për të qëndruar në banesë, si dhe 26-vjeçarin D. T., pasi ka shkelur urdhrin për të qëndruar në banesë.

Gjatë kontrollit fizik iu gjetën 8 gr. lëndë narkotike dhe dyshohet se përdorte një minoren për të shpërndarë lëndën narkotike.

Për 17 subjektet e tregtisë që nuk respektuan orarin për mbylljen në orën 13:00, u vendos masa admnistrative 100.000 lekë(1 milionë lekë të vjetra) për secilin.

Gjithashtu, në Shkodër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetas E. Ç., i cili ka thyer rregullin e vetëkarantinimit.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19./a.m/noa.al