Transmetuar më 22-03-2020, 09:05

Kryeqyteti i Kroacisë është goditur nga tre tërmete mëngjesin e sotëm. Deri tani është raportuar vetëm për dëme materiale dhe nuk ka konfirmim për lëndime në njerëz.

Një shtetas i Kosovës që jeton në Zagreb nëpërmjet videos tregon momentin e frikshëm kur ndodhi tërmeti, shkruan Indeksonline.

‘Është një gjendje tmerruese, që nuk e kisha parë ndonjëherë në jetën time. Kemi dalë rrugës, edhe pse jo të përgatitur por ka qenë tepër e madhe. Nuk e dimë cila ka qenë më e goditura, por këtu ka qenë një tmerr i vërtetë’, thotë Hax Krasniqi.

Në pamjet e publikuara duken makinat e dëmtuara dhe pjesë të rëna nga ndërtesat në rrugë.

Tërmeti i parë sipas EMSC u regjistrua në orën 06.24, ndërsa i dyti u regjistrua 37 minuta më pas dhe ishte 5.0 ballë shkalla Rihter. Thellësia e tyre ishte 10 km me epiqendër në Kasina, pranë Zagrebit.

Pas dy tërmeteve të para, një tjetër lëkundje u regjistrua në orën 07.41. Ai ishte 3.7 ballë shkalla Rihter dhe intensitetin makrosizmik e kishte 4 ballë të shkallës Merkali. Por thellësia e tij ishte vetëm 2 km. Sërish epiqendra ishte pranë Zagrebit./a.m/noa.al