Transmetuar më 18-03-2020, 13:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkarkon ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun.

Mësohet se shkarkimi i tij, vjen pasi gjatë një interviste televizive të dhënë mbrëmjen e së martës, ai foli lidhur me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas Kurtit, me deklaratat e tij Veliu ka përhapur panik, duke deklaruar se numri i të prekurve po rritet orë pas ore.

Kryeministri i Kosovës thotë se as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë.

“Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, thuhet në vendimin e Kurtit.

Ndërkohë, deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zëvendësministri Xhelal Sveçla. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE