Transmetuar më 18-03-2020, 07:35

Ndryshimi i rutinës ka ndikim mbi të gjithë situatën. Duhen bërë aktivitete që edhe në kushte normale janë të praktikueshme. Duhen evituar programet që përbëjnë lajme ndërsa duhet të fokusohemi tek filmat, spektaklet, programet gazmore.

Gentian Çala, mjek psikiatër ka folur në Fax News në lidhje me traumat dhe pasojat psikologjike që mund të shkaktojë pandemia e koronavirusit tek qytetarët.

Çala ka dhënë disa këshilla të vlefshme se si ta menaxhojmë kohën për aq sa do të zgjasë periudha e vetë-karantinimit në banesa.

Të shkruarit, lexuarit, punë krahu në natyre, aktivitete fizike në kushtet e shtëpisë etj, janë disa nga gjëërat me të cilat të mbushim ditën. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të angazhohen gjatë ditës dhe të kenë më pak ndjenjën e mërzisë, të largojnë mendimet negative. Të ruhen kontaktet me miqtë, duke i telefonuar, lidhur online, të ndihmon të mos kenë shkëputje nga të tjerët”, tha Çala.

Psikiatri ka folur për ata që mbase e përjetojnë më së shumti këtë situatë duke treguar edhe arsyet që e bëjnë diçka të tillë, ndërsa ka një thirrje ndaj shoqërisë në tërësi për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj të moshuarve.

“Një prej pikave të moshës së tretë është vetmia ku humbasin lidhjet edhe për shkak të humbjes apo vdekjes së miqve, largimit të fëmijëve. Duke qenë edhe se kjo moshë kishte edhe më shumë pasoja, izolimi është më i shprehur, e rëndësishme është se qoftë grupet vullnetare të ruajnë kontaktet, t’u dërgojnë ushqime, të kalojnë kohë me ta për t’ju treguar se nuk janë të braktisur dhe të vetëm”.

Sipas Çalës, dëmet ekonomike mund të ndikojnë dhe zakonisht ndikojnë në sjelljet e njerëzve, e për këtë ai ka parasysh sidomos dy shtresa.

“Jemi përballur mbase me sfida më të mëdha, ka një frenim ekonomik për shkak të kësaj situate. Shoh pasiguri tek njerëzit dhe krijon premisa për ç’rregullime mendore. Planet ekonomike të jenë në mbështetje të shtresave në nevojë, biznesit të vogël që janë në ditë të vështira dhe nuk e dimë se sa do zgjasë kjo situatë. Të gjithë këtyre personave ju bëhet një dëm shtesë”.

Sipas psikiatrit, ajo që duhet të tregojë në fund e gjithë kjo situatë është nevoja për të investuar në sistemin shëndetësor teksa tregon edhe arsyet.

“Besoj se kjo situatë e krijuar duhet të na bëjë të mendojmë thellë mbi sistemin shëndetësor që kemi krijuar. Jemi në një situatë të re të gjithë pa dallim dhe shpëtimin do ta gjejmë tek sistemi shëndetësor. Tek ne reflektimi duhet të jetë më i madh për të ndërtuar një sistem shëndetësor që ofron kujdes ndaj qytetarëve brenda vendit sepse për këtë rast nuk kemi ku e kërkojmë shpëtimin pasi janë të gjithë të prekur. Kemi pasur për një kohë të gjatë një mendim të keq për mjekët që thonim bëjnë pazar me shpirtrat. Nuk është kështu, mbase ka të bëjë me mënyrën si e shikojmë jo thjeshtë mjekun por gjithë sistemin. Duhet të kuptojmë se me këtë rast se mjekët përballen me problematika më të mëdha se aq”, tha Çala.