Transmetuar më 17-03-2020, 15:30

Katër administratorë subjektesh janë proceduar në Tiranë pasi abuzonin me çmimet në tregun agroushqimor në Kashar.

Gjatë kontrollit të befasishëm nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, u proceduan penalisht katër persona të identifikuar si K. Y., 43 vjeçe, M. S., 26 vjeç, I. B., 32 vjeç dhe A. XH., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Ata punonin si administratorë të pikave të shumicës në tregun agroushqimor në Kashar dhe dyshohen se kanë përpiluar fatura tatimore me shitje fiktive të çmimit të produkteve që i tregtojnë pikave të pakicës.

Kështu kanë abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre, si dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre tregtar, duke mos e pasqyruar me dokumentacionin përkatës, ku u administruan dhe materiale te tjera jotatimore.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës për veprat penale “Fshehja e te ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Manipulim i tregut”.

Në zbatim të masave për parandalimin e abuzimit me çmimet si pasojë e shfrytëzimit të situatës së koronavirusit, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin.

Policia bazohet edhe tek denoncimet e shumta të bëra nga qytetarët  në  numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, një pjesë e të cilëve thonë se ka abuzime me çmimet e produkteve që tregtohen në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike./a.m/noa.al