Lëvizte me makinë pas kthimit nga Italia, gjobitet i riu në Pogradec
Transmetuar më 17-03-2020, 12:51

Një djalë i ri i cili shkeli rregullat e qarkullimit në këtë periudhë koronavirusi, është gjobitur nga policia e Pogradecit, pasi rezultonte që ditëve të fundit ishte kthyer nga Italia.

Strukturat e policisë vijojnë kontrollet për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Thyen rregullin e vetëkarantinimit dhe kapet duke qarkulluar me mjet pa autorizimin përkatës, gjobitet në vlerën 700 mijë lekë të vjetra një 29-vjeçar.

Gjobitja me masë administrative në vlerën 700 mijë lekë, u bë për B.D., 29 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.

I riu më datë 6 mars është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar.

I riu është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore në aksin Pogradec-Rëmenj, duke lëvizur me mjetin e tij tip “Volkswagen Passat”.

Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”, ndaj këtij shtetasi u bë tërheqja e lejes së drejtimit, bllokimi i automjetit si edhe u ndëshkua me masën administrative në vlerën 700 mijë lekë.

Policia apelon edhe njëherë për të gjithë ata shtetas që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në të mirë të shëndetit të tyre dhe njerëzve të tjerë. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE

Loading...