Transmetuar më 12-03-2020, 13:10

FSHF ka vendosur të pezullojë të gjitha aktivitetet futbollistike në vendin tonë. Ky vendim vjen pas situatës së shkaktuar nga koronavirusi ku deri më tani është shënuar 1 viktimë dhe janë konfirmuar 23 raste. Në faqen e saj zyrtare FSHF deklaron se të martën e ardhshme në orë 13:00, UEFA do të ketë një video konferencë me të 55 federatat europiane të futbollit.

Njoftimi i plotë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.

Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike europiane për klube e ekipe kombëtare. Urojmë që të rikthehemi sa me shpejtë me lojën tonë të dashur./b.l/noa.al/