Basha: Koronavirusi, të ndalen faturat e ujit, dritave, taksat dhe sigurimet
Transmetuar më 11-03-2020, 17:59

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia e PD, lideri i opozitës Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të shtojë fondet në luftën kundër Koronavirusit.

Basha tha se në zonat ku ka raste me koronavirus dhe për vetë faktin se nxiten njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, për një periudhë emergjence të ndalen faturat e energjisë elektrike, ujit, pagesat e taksave dhe tatimeve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga 3 muaj deri në një vit.

Referuar sugjerimeve konkrete që opozita i ka bërë qeverisë, Basha tha se këto propozime janë bërë qysh me datë 23 shkurt, por qeveria nuk ka marrë masa, por ka bërë humor me to.

Gjashtë masat e prezantuara nga Lulzim Basha:

1-Pezullimin dhe fshirjen e pagesës së faturës së ujit dhe energjisë për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznese në zonat ku covid 19 është shfaqur. Të ndalohet shkëputje e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në ato rastet e mospagesës deri në tejkalimin e kësaj situate.

2-Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore dhe shlyerjen e këtyre pagesave me këste 12 mujore në periudhat pasardhëse.

3-Përjashtimin nga tatim fitimi për një periudhë 6-12 muaj të gjitha subjektet në zonat ku virusi covid 19 është shfaqur me qëllim përballimin e plotë të 2 muaj kosto të pagave të punonjësve dhe ambienteve të marra me qira për zhvillimin e aktivitetit.

4-Përjashtimi nga taksa e pronës nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3 mujore në zonat dhe bashkitë ku covid 19 është shfaqur

5-Përjashtimi nga kamatëvonesat dhe gjobat për një periudhë tremujore.

6-Mbështetje me fokus të veçantë për sektorët prioritare dhe sektorët me vunerabël siç është turizmi, fasonët apo call center.

Loading...