Nga reduktimi i stafit te dezinfektimi i stadiumeve, masat për koronavirusin në Shqipëri
Transmetuar më 11-03-2020, 16:18

Federata Shqiptare e Futbollit FSHF ka publikuar protokollin e masave të marra për shkak të koronavirusit që tani ka prekur edhe vendin tonë. Federata njofton se në vijim do të reduktohet stafi, ndërsa gratë me fëmijë do të punojnë nga shtëpitë.

Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka ndjekur me kujdes dhe nga afër situatën e krijuar në vendin tonë pas shfaqjes së rasteve të prekura nga virusi COVID-19. Menjëherë i është përgjigjur urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të evituar grumbullimet publike dhe duke i zhvilluar ndeshjet me dyer të mbyllura.

Komiteti i Emergjencës, bën me dije stafin e Federatës së Futbollit, klubet e futbollit, akademitë, futbollistët, dhe të gjithë organizatorët dhe zyrtarët e ndeshjeve se janë të detyruar të zbatojnë me përpikmëri dhe përgjegjësi vendimet e mëposhtme.

1.Në Federatën e Futbollit në Tiranë, si dhe në të gjitha zyrat e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë hyjnë në fuqi këto masa në mënyrë të menjëhershme:

a)Nis reduktimi i përkohshëm i punës së stafit në zyra. Punonjësit do të paraqiten me rotacion (nga një punonjës për secilën zyrë, për të mundësuar vijimësinë e punës) dhe uljen në minimum të kontakteve dhe shkëmbimeve virale. Do i jepet përparësi kryerjes së detyrave përmes telefonit dhe internetit.

b)Punonjëset femra me fëmijë do të punojnë nga shtëpitë;

c)Hyrjet dhe daljet në Federatën e Futbollit do të limitohen për personat e jashtëm; çdo punë mundësisht të kryhet me telefon dhe e-mail, dhe paralelisht nëse duhet ndonjë takim i detyrueshëm me qytetarët nga jashtë institucionit, punonjësi përkatës që do të jetë në zyrë do të takohet me qytetarin jashtë mjediseve;

d)Çdo pjesëtar i stafit që do të ketë shqetësime duhet të informojë dhe do t’i kërkohet të vetë-izolohet në shtëpi;

e)Të gjithë punonjësve u kërkohet të jenë në kontakt të përhershëm më autoritetet shëndetësore;

f)Federata e Futbollit do të bëjë dezinfektimin e të gjitha zyrave dhe ambjenteve të punës;

g)Të vijojë vendosja e dezinfektuesve të duarve në të gjitha mjediset e punës së FSHF.

2.Lidhur me pjesën e grumbullimeve stërvitore, ndeshjeve futbollistike etj., sipas protokollit të OBSH-së dhe rekomandimit të mjekeve, duhen ndjekur dhe zbatuar udhëzimet e mëposhtme në mënyrë rigoroze:

a)Të gjitha ndeshjet futbollistike do vijojnë të luhen me dyer të mbyllura. Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve tanë që të mos vizitojnë ambjentet sportive;

b)Të merren masa nga të gjitha klubet që gjatë grumbullimeve stërvitore dhe ndeshjeve të evitohen kontaktet fizike;

c)Të merren masa nga të gjitha klubet që të dezinfektohen të gjitha ambjentet stërvitore, fushat dhe stadiumet, pra të gjitha dhomat ku ekipet, stafet dhe zyrtarët e ndeshjeve do akomodohen;

d)Të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;

e)Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës;

f)Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumullim tjetër të detyrushëm në vende të mbyllura;

g)Ashtu siç tashmë kemi modele nga futbolli ndërkombëtar, futbollistët dhe stafet të mos kenë fare kontakt fizik, të tipit të dhënies së duarve në fillim të takimit, gjatë apo edhe në fund.

h)Stafet mjekësore të klubeve dhe akademive, të jenë në kontakt të pandërprerë me autoritetet mjekësore të zonave përkatëse lidhur me raste të mundshme apo të dyshuara. Çdo rast, qoftë edhe i një simptome gripi të lehtë duhet raportuar dhe ndjekur me kujdes.

3.FSHF ka anulluar të gjitha mbledhjet publike, seminaret, ëorkshop-et dhe konferencat e shtypit. Kërkojmë mirëkuptimin e klubeve, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve tanë. Komunikimi me ta do vijojë i pandërprerë përmes telefonit dhe internetit.

4.FSHF u bën thirrje të gjithë futbollistëve dhe stafeve teknike, të evitojnë udhëtimet personale jo të domosdoshme brenda vendit dhe sidomos jashtë vendit (sidomos drejt zonave të deklaruara zyrtarisht si të prekura nga virusi) dhe të reduktojnë takimet apo kontaktet që mund të rrezikojnë shëndetin e tyre dhe personave përreth tyre.

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë./b.l/noa.al/