Transmetuar më 08-03-2020, 21:03

Anulohen të gjitha fluturimet hyrëse drejt Kosovës, nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar lajmin.

Sipas ministrit Abdixhiku, këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.

Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit.

Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra, por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë.

Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca, për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë’, ka shkruar Abdixhiku.

Gjatë ditë së sotme Italia vendosi në karantinë rreth 16 milionë banorë për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë Shqipëria nuk ka marrë ende ndonjë masë për lëvizjet e njerëzve mes Shqipërisë dhe zonave të prekura nga koronavirusi.