Transmetuar më 07-03-2020, 08:43

Paniku nga koronavirusi ka filluar të japë efekte edhe në ekonominë shqiptare, ndonëse ende nuk ka të infektuar. Tregtia me Kinën u bllokua për shkak të mbylljes së fabrikave, ndërsa në Itali u ndërpre lëvizja e sipërmarrësve.

Ja kostot që po paguan biznesi në Shqipëri nga koronavirusi.

Më e prekura industria e tekstileve dhe këpucëve. Investimet do të shtyhen me dy muaj, pritet rënie e lehtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Donika Mici, duhet të udhëtojë shpesh në Itali për të marrë pjesë në panairet e ekspozimit të lëndëve të para. Por, sipërmarrësja e një prej fabrikave më të mëdha të këpucëve në vend, thotë se për shkak të pranisë së ulët të vizitorëve, pas shpërthimit të koronavirusit në shtetin fqinjë, shumica e tyre nuk po zhvillohen.

“Duke qenë se jemi në ndërrim të sezonit, na nevojitet lënda e parë për të punuar, panairet është e vështirë të kryhen, edhe agjentët nuk dalin dot për të kryer shitjet në të gjithë Italinë. Në panairet që zhvillohen, prania e vizitorëve ishte e ulët”, tha Mici.

“Keq e kemi punën, po mendohemi gjatë se si do të veprojmë”, tha ajo për Monitor. Zonja Mici shprehet se në Itali ende nuk ka mbyllje të fabrikave. “Por nëse kjo do të ndodhë, puna këtu te ne pezullohet. Kjo është frika më e madhe. Ka një frenim të punës dhe jemi në pritje se çfarë do të ndodhë. Kjo ka shtuar ankthin.”

Drejtuesja e fabrikës së këpucëve nuk nguron të shprehë frikën nëse virusi do të prekë Shqipërinë. “Shqetësim kemi edhe ardhjen e virusit në vend, sepse kjo do të sillte largimin e punëtorëve dhe pezullimin e punës.”

Rreziku nga koranavirusi është primar te shëndeti, por në aspektin ekonomik ka prodhuar “viktimat” e para. Për shkak të mbylljes së fabrikave në Kinë, te bizneset që importojnë linjat e prodhimit, puna është shtyrë deri në mesin e muajit mars. Situata e rënduar në Itali ka ndikuar në shtyrjen e punës për prodhimet e sezonit të dimrit edhe për industrinë e tekstileve. Edhe industria e prodhimit të këpucëve në vend ka shtyrë punën për prodhimin e veshjeve të sezonit të pranverës.

Efekti tjetër nga koronavirusi është te shtimi i kostos, pasi situata e rënduar në Kinë do të detyrojë sidomos biznesin e linjave të prodhimit të ndryshojë destinacionin e blerjeve. Në rast përkeqësimi të situatës, biznesi i ka sytë në tregjet e Turqisë dhe vendeve të Europës, që nuk kanë raste të shfaqjes së virusit. Ndryshimi i tregjeve për furnizimin e lëndës së parë do të rrisë koston e tyre.

Alban Zusi, president i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, shpjegoi për “Monitor” se importi i linjave të prodhimit nga Kina do të jetë i pezulluar deri në mesin e muajit mars. Zusi tha se për shkak të mbylljes së fabrikave në Kinë, investimet e biznesit do të shtyhen me dy muaj. “Prej dy muajsh, fabrikat në Kinë janë pothuajse të mbyllura dhe çdo investim i tyre është i vonuar. Fabrikat me Kinën pritet të hapen në mesin e muajit mars.”

Sipas kreut të Qendrës së Eksporteve, situata e rënduar me Kinën do ta detyrojë biznesin që importin e linjave të prodhimit ta kryejë në tregje të tjera, por me shtim kostoje.

“Efekti i dytë është rritja e kostove që mund të ketë ndodhur për shkak të transferimit të blerjeve të mallrave nga Kina, drejt vendeve të tjera të Europës, edhe Turqisë. Për blerjen e mallrave të konsumit do të gjenden tregje të reja, të cilat mund të kushtojnë më shtrenjtë, dhe puna do të vazhdojë. Kur bëhet fjalë për linja prodhimi, atyre që i kanë porositur dhe i kanë dërguar paratë, do t’u duhet të presin deri sa situata të ndryshojë. Të tjerët mbase mund të ndryshojnë destinacionin e blerjes. Nuk do të blejnë në Kinë, do të blejnë në vende të tjera me kosto më të lartë.

“Unë personalisht, nëse situata nuk do të ishte e tillë, prej më shumë se 1 muaji do ta kisha porositur një linjë. Por tani do të presim të përmirësohet situata, pasi edhe fabrikat nuk punojnë, por edhe pasi një marrëveshje biznesi nuk mund të mbyllet pa kryer takime”, shprehet Zusi.

Në marrëdhëniet tregtare me Italinë, shtimi i rasteve me koronavirus, sipas Zusit ka ndikuar në reduktimin e lidhjeve, lëvizjes së sipërmarrësve dhe menaxherëve për kontakte direkte. “Këto janë të domosdoshme, pasi biznesi ka qarkullim mallrash, por edhe qarkullim të njerëzve”, shprehet Zusi.

Flori Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve, tha për “Monitor” se situata e krijuar në Itali ka rritur pasigurinë te ndërmarrjet tekstile në vend.

Zekja thotë se disa nga panairet e ndërmarrjeve që zhvillohen në Itali janë shtyrë, kurse në të tjera numri i bizneseve ishte i ulët. Sipas tij, kjo po ndikon në shtyrjen e punës për sezonin e dimrit.

“Situata e krijuar në Itali nga koranavirusi ka sjellë që disa panaire të ndërmarrjeve apo sfilatat e modës për copat e stinës së dimrit të shtyhen. Në disa të tjera, pjesëmarrja ka qenë pothuajse zero. Kjo ka rritur pasigurinë te ndërmarrjet fasone, por edhe ka sjellë shtyrjen e mbylljes së punës për sezonin e dimrit. Kjo na rrit kostot dhe shtrëngon biznesin që një punë që do ta bënte për 5 muaj, ta kryejë për një muaj”, tha Zekja.

Në industrinë tekstile, situata e rënduar në Kinë ka ndikuar edhe në fuqinë punëtore për 10 ndërmarrje në vend. “Në ambasadën shqiptare në Kinë, për shkak të përhapjes së virusit, është pezulluar puna. Kjo ka bërë që të vonohet ardhja e 300 punonjësve nga Bangladeshi, pasi nuk po arrijnë të pajisen me vizë”.

Sipas Zekjes, ndërmarrjet shqiptare kanë lidhur kontrata 4-vjeçare punësimi me 300 punonjësit nga Bangladeshi. Mesatarisht, paga e tyre mujore do të jetë 300 dollarë. Për punonjësit shqiptarë në ndërmarrjet fason, paga mesatare mujore shkon deri 32 mijë lekë.

Tregtia me Kinën dhe Italinë

Pas Turqisë dhe Italisë, Kina është partneri i tretë kryesor në marrëdhëniet tregtare me vendin tonë, veçanërisht për importet. Sipas të dhënave të INSTAT, në drejtim të Kinës importet për periudhën janar-dhjetor 2019 arritën në vlerën e 59,7 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2018 importet me Kinën shënuan rritje 11 për qind.

Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit zë pjesën më të madhe. Importet për grupin “tekstile dhe këpucë”, sipas të dhënave të INSTAT kanë arritur në vlerën e 87 miliardë lekëve.

Në marrëdhëniet tregtare me Italinë dominon eksporti i tekstileve dhe këpucëve. Për periudhën janar-dhjetor 2019 eksportet për këtë kategori ishin 91 miliardë lekë, kundrejt 95 miliardë lekë që ishin për vitin 2018.

Shumica e industrisë së tekstileve importon nga Italia, lëndën e parë të gatshme, ku më pas qepja kryhet nga fabrikat në vend. Sipas statistikave zyrtare për vitin 2019 importi për grupin “Tekstile dhe këpucë” arritën në vlerën e 40 miliardë lekëve kundrejt 42,5 miliardë lekëve që ishin në vitin 2018.

Sa është kostoja e shërbimeve mjekësore me koncension

Shtimi i rasteve me koranavirus në Itali, përveç frikës dhe panikut për përhapjen e virusit në Shqipëri solli edhe një herë debatin për kostot e koncesioneve të mjekësisë. Shqetësimet për cilësinë e shërbimeve dhe kostot e larta u ngritën nga vetë mjekët.

Ishte shefi i repartit të kardiologjisë në QSUT, Edvin Prifti, i cili tha se nga koncensionari i shërbimit laboratorik nuk mund të ofrohet shërbim diagnostikues për analizat e koronavirusit. Mjeku urolog, Artan Koni, arrin në konkluzionin se shërbimet mjekësore të dhëna me koncension në vend kanë të njëjtën cilësi të ofruar gjatë 70 vjetëve mjekësi nga spitalet shtetërore, ndërsa kostoja është shumë më e lartë se kur kryheshin nga spitalet shtetërore.

Mjeku Artan Koni tha për “Monitor”, që, nëse një shërbim mjekësor kryhet nga privati, fitimi i këtij të fundit llogaritet sa 25 për qind e vlerës së investimit. Pavarësisht shumës së investuar, sipas mjekut urolog, nuk rezulton rritje e cilësisë së shërbimit, por vetëm të kostos ekonomike. “Shërbimet që aktualisht po i kryen privati do të ishin me kosto më të lirë nëse do të kryheshin nga shteti. Për koncensionin e sterilizimit, sipas analizës, kostoja mesatare për një set kirurgjikal, shtetit i kushton 2.4 euro, kurse tani me koncensionin na kushton mesatarisht 190 euro. Kostoja vjetore e planifikuar tejkalohet çdo vit.

Për vitin 2019 është paguar 3.5 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar. Cilësia e sterilizimit është e njëjtë, pra shërbimi kryhet, siç është kryer për gati 70 vjet, por për shkak se këtë shërbim e kryen privati dhe jo shteti, kostoja është më e lartë”, shprehet mjeku.

Për koncesionin e shërbimit laboratorik, Koni thotë se ende nuk ka filluar puna me kapacitet të plotë, për të analizuar kostot reale. Sipas tij, analizat do të kryhen në ambientet spitalore publike, por ky shërbim thjesht i është dhënë privatit. “Teorikisht një privat, jo vetëm te koncensionet në shërbimet e mjekësisë, por edhe kur ndërton një rrugë, apo një objekt tjetër, në qoftë se nuk ka minimumi 25 për qind të shumës së investuar fitim, nuk e kryen atë. Nëse koncesioni i shërbimit të laboratorit është 100 milionë euro, kostoja reale maksimale është 75 milionë euro, që 25 milionë euro t’i përfitojë privati”, shprehet Koni./monitor/