Transmetuar më 05-03-2020, 17:22

Kryedemokrati Lulzim Basha reagon me rastin e ditës së epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai thotë se 5 marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.

“22 vjet më parë Jasharët i treguan botës mbarë se çfarë çmimi ka liria për bijtë e shqipes. Epopeja e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin vuri gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! Sot përulemi me nderim përpara veprës se Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që dhanë jetën dhe kurrë nuk u dorëzuan para masakrave, terrorit dhe genocidit barbar”, shkruan Basha.

Më tej shton se sot teksa gëzojmë lirinë e Kosovës kemi akoma shumë për të përmbushur amanetin e heronjve tanë në Shqipëri e Kosovë.

“Por jam i bindur se kombi do t’ja dalë të ndërtojë mbi sakrificat e martirëve, të nesërmen e dinjitetit dhe standarteve europiane. Lavdi e pavdekshme komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës që dhanë jetën per liri”, shkruan në mbyllje kryedemokrati. /a.y/noa.al