Transmetuar më 05-03-2020, 17:10

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, është takuar ditën e sotme me ministren e Kulturës Elva Margariti.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ambasadorja thotë se SHBA do të shpenzojë 800 mijë dollarë për restaurimin e kalasë së Krujës nga dëmet e pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe për zonat historike në Durrës dhe Prezë.

Nga ana e saj ministrja ka zbardhur detaje nga takimi, teksa ka publikuar disa fotografi ku shkruan, “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!

Kështu e pritëm në ministrinë e Kulturës, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Ambasadorja shprehu dëshirën të njihej me projektet tona më të rëndësishme”.

Margariti bën me dije se rimëkëmbja e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti, digjitalizimi i pasurisë sonë kulturore jomateriale, sfida e ngritjes së një godine të re për Bibliotekën Kombëtare, rikonstruksioni dhe hapja për publikun të Bibliotekës së vjetër, përurimi i TKOB, ishin disa nga temat që rrokëm në këtë takim.

“Kultura është një urë lidhëse dhe bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve do të jenë pjesë e projekteve për të ardhmen”, thotë ministrja. /a.y/noa.al