Sa keq po funksionon stadiumi medemek modern ish “Qemal Stafa”
Transmetuar më 04-03-2020, 00:08

Një milion e dyqind mijë lekë të reja duhet të paguajë Tirana për 3 ndeshjet e fundit me Skënderbeu, Bylisin dhe Partizanin, ndërsa të kuqtë 350 mijë, por nëse llogarisim këtu edhe Skënderbeun, Teutën, Bylisin apo Kukësin, në total gjatë 3 javëve të fundit, shuma e gjobës që do të arkëtojë federata nga këto 6 klube është rreth 2 milionë lekë.

Klubet që luftojnë për titullin, me të drejtë po tërhiqen nga forca luksoze e rëndësisë së kompleksit modern që përveç reklamimit të futbollit të bukur po eksporton në opinionin publik edhe një imazh disi më të kompromentuar.

Në një stadium të tillë që premtonte monitorimin “high tech” të dhunuesve apo masa shumë herë më të forta sigurie, duket se ka fituar zakoni i vjetër në bazë të teorisë filozofike shqiptare “sipas vendit edhe kuvendi”, pra në vendin e gabuar edhe stadiumi më modern po funksionon keq.

Pas ndeshjes derbi, Tirana është gjobitur me 500.000 mijë lekë të tjera shtesë, për sjellje të gabuar të spektatorëve por disiplina ka shtuar sërish edhe dispozitën e shpikur së fundmi, atë të dëmshpërblimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.

Një risi në formën e kamzhikut nga ana e Disiplinës që qartazi e ka lëshuar dorën duke llogaritur ndoshta edhe faktin që Tirana mund të mos e ngrejë zërin për shkak të arkëtimeve rekord dhe sukseseve të njëpasnjëshme në kampionat. Shpikje e pakuptueshme apo strukturë paralele që i bën karshillëk kodit të ri në një kohë kur kanë hyrë në fuqi nenet e reja ndëshkuese, dukshëm më të ashpra për dhunuesit e magjisë së futbollit.

Sipas kodit të ndryshuar penal parashikohet burg deri në 5 vjet për ata që hedhin sende në fushë apo hyjnë brenda saj.

Policia e Shtetit ka reaguar pas incidenteve të fundit duke prangosur e shpallur në kërkim disa nga autorët e shkuljes së stolave apo hyrjes në fushë, por për Disiplinën faji vazhdon të jetë i ngarkuar me përgjegjësinë kolektive dhe në këtë rast e pësojnë klubet që përveç gjobës duhet të paguajnë fatura shtesë për gjestet e pahijshme të njerëzve që nuk gjejnë dot paqe në stolat komodë sepse ndoshta janë mësuar me ulëset e zhgarravitura në “Qemal Stafës” së vjetër.

Përtej këtij absurdi, situata bëhet edhe më groteske nëse llogaritet në këtë mes edhe dënimi që e detyron klubin mik të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara edhe pse në këtë rast përgjegjësia mund të jetë e pritësve, apo aq më keq, e njerëzve që ndoshta ndodhen rastësisht në sektorin e miqve, ndoshta të të prishur edhe imazhin e tyre. Me këtë ritëm, “Arena”, nga qendër rëndese apo teatër shqiptar ëndrrash, mund të transformohet në vrimën e madhe të zezë që nuk emeton pjesën më të bukur të futbollit por thith edhe ato pak të ardhura që mbajnë gjallë një pjesë të klubeve të Superiores.

Loading...