Transmetuar më 02-03-2020, 22:44

Kryeministri Edi Rama i qëndron bindjes se taksa e vendosur për Rrugën e Kombit duhet paguar me krenari.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës do të duhej të paguanin me krenari 5 euro për një drejtim në kalim për në Shqipëri.

“Taksën ju duhet ta paguani me krenari”, deklaroi Rama mbrëmjen e kësaj të hëne, i cili është i ftuar në emisionin ‘Pressing’ në T7.

Rama mohon se taksa për Kosovën është plaçkë.

“Jo nuk është ashtu”, tha Rama duke iu përgjigjur gazetarit Berat Buzhala sipas të cilit taksa “është një plaçkë që i bëhet Kosovës”.

Më tej ai shigjetoi edhe liderët e politikës së Kosovës, Presidentin Hashim Thaçi, ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kreun aktual të qeverisë Albin Kurti.

“Hashimi, Ramushi, Albini bëjnë propagandë. Kurtit i thashë se nuk hiqet taksa, nuk mbahet ndryshe. E para e punës, ju e shihni të ndarë unë nuk e shoh fare Shqipërinë dhe Kosovën në këtë aspekt. Ajo tarifë është vendosur për një parim shumë të thjeshtë nuk ka pasur lidhje as me Kosovën, as me Shqipërinë as me ndonjë rajon tjetër.  Bëhet fjalë për një investim shumë të madh ka përmirësuar trafikun, a ka përmirësuar apo jo? Që kur paguani taksën, po vini në rrugë më të mirë”, deklaroi Rama.