Transmetuar më 28-02-2020, 02:17

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e pranojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për heqje të pjesshme dhe me kushte të taksës 100 për qind ndaj Serbisë.

Deklarata erdhi nga i dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Në një mesazh publik, Richard Grenell tha: "Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti. Pozicioni ynë është i qartë: Tarifat duhet të hiqen plotësisht".

Në këtë pikë vjen paralajmërimi i fortë ndaj kryeministrit të ri.

"Z.Kurti po bën një gabim serioz. Dhe kjo iu bë e qartë sot Presidentit Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka thënë se pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrjeve vendore dhe pas analizës, ka vendosur që nga data 15 mars të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja. Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia të ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë, zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.

Kurtit i ishte lënë afat nga SHBA deri në fundjavë që të hiqte taksën, ndryshe do kishte pasoja serioze. Më herët Sekretari i Shtetit Michael Pompeo, i bëri thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj mallrave serbe. Sipas njoftimit të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Kosovës të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve që synojnë krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.  Sekretari Pompeo, sipas zëdhënëses, “pret që Kosova të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që popujt e të dy vendeve të kenë përfitimet maksimale ekonomike dhe tregtare, një hap ky jetik për të rifilluar bisedimet për normalizmimin e përgjithshëm të marrëdhënieve.

/noa.al/