Transmetuar më 27-02-2020, 20:42

Ish-trajneri i kombëtares Christian Panucci ka çuar Shqipërinë në CAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.

Shkak është bërë refuzimi i kërkesës që ka patur ish-trajneri për bonuset e rezultateve të përfaqësueses edhe në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Edy Reja.

Sipas kontratës së Panuçit për periudhën që ia drejtonte kombëtaren, kishte një klauzolë bonusesh sipas së cilave barazimet e arritura në shtëpi kanë një shpërblim prej 4.000 eurosh, në transfertë 8.000, ndërkohë që fitoret e arritura në shtëpi arrijnë shifrën e bonusit prej 10.000 eurosh dhe fitorja në transfertë 15.000 euro.

Por Panucci nuk pranoi të jepte dorëheqjen pas humbjes me Turqinë në “Loro Borici” më 23 marsin e 2019-s, duke u paguar deri në fund të vitit të shkuar me një pagë prej rreth 20.000 euro në muaj, ashtu siç ishte kontrata. Pra, mori rreth 140 mijë Euro, duke qëndruar në shtëpi.

Tani Christian Panucci kërkon në total edhe rreth 57 mijë euro.

Dhe përderisa u repsektua kontrata, Panucci kërkon që edhe përfitimet nga klauzola të respektohen, duke e futur në një konflikt me FSHF-në.

Bilanci i Panucci në krye të kuqeiznjve ishte 15 ndeshje me vetëm 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje. Të konsultuar edhe me avokatin e tyre për çështjen ndërkombëtare, si Antonio Rigozzi, FSHF i ka sqaruar ish-trajnerit që shpërblimet ishin të vlefshme për aq kohë sa ai ishte në krye të pankinës kuqezi.

/NOA.al