Transmetuar më 27-02-2020, 19:24

Dy ditë pasi vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten dhe vëllain e saj në Kodër Rrëshen, autori Fatmir Kolecaj ka vrarë sot veten.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës, ndërsa prej dy ditësh policia dhe RENEA ishin në kërkim për kapjen e tij.

Policia në informacionin e saj zyrtar jep detaje se kishte bërë lokalizimin e tij, i cili në orët e mbasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.

Forcat e FNSH-së të Shkodër kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej.

Autori i ngjarjes shtetasi Fatmir Kolecaj, nuk i është përgjigur thirrjes së Policisë për tu dorëzuar, por ka hapur zjarr në mënyrë të befasishme mbi forcat e Policisë dhe për pasojë  nga të shtënat është plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën një punonjës i FNSH-së, Shkodër.

Në ndihmë të FNSH-së dhe Policisë lokale kanë shkuar edhe forcat speciale Renea ku kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë bërë thirrje autorit të hidhte armën dhe ti dorëzohej Policisë.

Kolecaj kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa ka varë veten me armë zjarri", thotë policia.

Autori jetonte i vetëm, pasi familjarët ndodheshin në emigracion. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për të zbardhur rrethanat e vetëvrasjes dhe armën me të cilin ai i ka dhënë fund jetës.

47-vjeçari ekzekutoi ish-gruan Esmeralda Filopati 36 vjeçare, nëna e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj Vledison Filopati 34 vjeç mbrëmjen e së martës, pasi u bëri pritë në hyrje të banesës.

Kolecaj kishte tentuar vetëvrasjen edhe në 2017 në kohën kur ishte i burgosur në Shënkoll të Lezhës, pasi u dënua për dhunë në familje dhe armëmbajtje. Pasi doli nga burgu një vit më parë konfliktet për kujdestarinë e fëmijëve vijuan dhe mbrëmjen e së martës kreu vrasjen e dyfishtë./b.l/noa.al/