Transmetuar më 27-02-2020, 13:45

Arben Frroku, Jasin Kala (Avdyli) dhe Durim Keçi duhet të deklarojnë pasurinë dhe të dorëzojnë formularin pranë Operacionit "Forca e Ligjit", që në kuadër të aktit normativ Anti KÇK, ka vënë në sitë pasurinë e tyre duke ngritur dyshime se nuk rrjedh nga burime të ligjshme.

Arben Frroku, aktualisht ndodhet në qeli në Holandë. Ai rezulton i dënuar në Shqipëri, nga Gjykata e Apelit me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013 në Tiranë.

Holanda e ka refuzuar ekstradimin e tij në Shqipëri, duke i dhënë të drejtë Arben Frrokut, i cili pretendon se në procesin gjyqësor kundër tij është përfshirë edhe politika, ndërkohë që në vendin tonë i rrezikohet jeta. Arben Frroku ka pretenduar se është dënuar për një krim të cilin nuk e ka kryer.

Ai mori fillimisht pafajësi për vrasjen e Dritan Lamaj në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por teksa vendimi u apelua nga prokuroria, Arben Frroku u largua nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi.

Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi Arben Frrokut me burgim të përjetshëm duke e ribërë sërish njeriun më të kërkuar për vrasjen e kryepolicit. Prej atij momenti Arben Frroku qëndroi jashtë vendit deri sa u arrestua në Holandë me dokumente false greke

Rekursi i Arben Frrokut në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk u pranua duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë. Aktualisht këtë dënim Arben Frroku e ka ankimuar në Gjykatën e Strasburgut.

Kërkesa për ekstradim ishte e dyta ndaj Frrokut ku më parë u miratua ajo drejtuar Greqisë ndërsa kërkesa drejtuar Holandës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, u refuzua.

Arben Frroku u bë i njohur edhe për foton me ish-zyrtarët e policisë njohur si tavolina “çiftelia” ku në të bënin pjesë asokohe ish drejtuesit e lartë të policisë së shtetit ndërsa pak javë më vonë Frroku do të prangosej për akuzën e rëndë të vrasjes e Lamajt.

Jasin Avdyli me pseudonimin“Cine” është pjesë e grupit të arrestuarve në kuadër të operacionit "Volvo 4". Aktualisht hetimet për këtë grup me 19 të pandehur, janë mbyllur për dosjen me nr.339, ku në akuzë janë edhe vëllezërit nga Shijaku Astrit dhe Altin Avdyli. Ata akuzohen për trafik droge, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash, etj.  Grupi u kap për trafikimin e gati 200 kg lëndë narkotike heroinë dhe një sasie të konsiderueshme hashashi, por nga këto përgjime lindi edhe një tjetër dosje, për dyshime të shit-blerjes së votave në zgjedhjet për bashkinë e Durrësit.

Durim Keçi, i cili brenda 48 orëve duhet të deklarojë pasurinë e tij para Operacionit Forca e Ligjit, është një emër i përfolur për drejtësinë. Emri i të ‘fortit’ të Shijakut u përfol shumë në 2018-ën, kohë në të cilën ai u lirua nga burgu. Durim Keçi u ndalua më 11 tetor të 2017-ës në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa u bë i njohur edhe në debatet mes politikanëve. Kryeopozitari Lulzim Basha në atë kohë tregoi fotot të tij me deputetë socialistë, duke akuzuar fort se mazhoranca mbante afër kriminelët, ndërsa kryeministri Rama publikoi foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve.

Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës, Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale”: Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Krime me armë kundër personit”,”Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Në Itali, 42-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare. Madje, gjatë një seance gjyqësore të asaj kohe, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajidini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane. Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: “Ata të dy do t’i bëj të ma paguajnë shtrenjtë!”

Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por u lirua nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit më burg, ai u la në ‘detyrim paraqitje’ dhe kështu u arratis. Gjatë kësaj kohet Durim Keçi jetonte në Shqipëri./b.l/noa.al/