Transmetuar më 26-02-2020, 16:02

Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha e veja e diktatorit Enver Hoxha dhe ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komiteti Qendror të PPSH-së. Hoxha është ndarë nga jeta rreth orës 15:00 në banesën e saj në Laprakë.

Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë.

Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka botuar edhe disa libra.

Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit. Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.